Saturday, October 24, 2015

Indonezi, prodhohen orë nga druri

Një kompani në Indonezi prodhon orë dore nga druri i vjetër. "Matoa" bën produktet unike nga materiale që përdoren për mobile. Kompania në ditë prodhon 25 orë të tilla.
“Ne maksimalisht e përdorim drurin që përdoret për prodhimin e mobileve. Ne i përdorim mbetjet nga druri duke i transformuar në materiale për orë. Na duhen copa të vogla prej druri për prodhimin e saj”, u shpreh Agianda Melzendu- menaxhere e marketingut.
Blerësve zakonisht u pëlqejnë orët e pazakonta.
“Është unike për shkak të materialit nga i cili është bërë - pra nga druri. Zakonisht blejmë orë që janë bërë prej metali me një rrip lëkure. Prandaj kjo orë është e veçantë dhe shumë e lehtë”, tha Sali, blerës.
Një orë shitet me një çmim prej 75 deri në 120 dollarë. Orët aktualisht shiten në 9 vende, përfshirë Kinën, Japoninë, SHBA-në dhe Afrikën e Jugut.

Japoni, robot që merret me punët e shtëpisë

Japonezët kanë shpikur një robot që do ta dëshironte çdo grua që merret me punët e shtëpisë. Roboti lakanderi i quajtur Laundroid, është në gjendje të lajë, të thajë, hekurosë dhe madje edhe të palosë rrobat.
Roboti është prodhuar nga Panasonic në bashkëpunim me Seven Dreamers dhe Daiwa. Pajisja përdor softuerin e njohjes së imazheve për të përcaktuar materialin e rrobave dhe për ti larë në temperaturën e duhur. I gjithë procesi i larjes, tharjes, hekurosjes dhe palosjes nuk zgjatë më shumë se 4 minuta.Roboti Laudroid do të dal në treg në vitin 2017. Ekipi ka premtuar se do të krijojnë një version të pajisjes për shtëpi deri në vitin 2020.